Superiorja rikthehet në “Niko Dovana”, luhet edhe në Kategorinë e Parë

Teuta-Skënderbeu është ndeshja e vetme e ditës së sotme në kampionatin shqiptar. Kampionët në fuqi të vendit rikthehen të luajnë në shtëpi pas rikonstruksionit të stadiumit “Niko Dovana” dhe përballë Skënderbeut të vendit të fundit synojnë fitoren, që t’i largohen zonës së ftohtë që të zbret në kategorinë inferiore.

Miqtë nga Korça po kalojnë në moment të vështirë. Skënderbeu ka 12 javë që nuk fiton, ndërsa në 10 ndeshjet e fundit në kampionat ka grumbulluar vetëm 3 pikë.

Korçarët kanë nevojë urgjente për pikë që të mbajnë gjallë shpresat për mbijetesë. Një tjetër disfatë në kampionat do të shuante shanset për qëndrimin mes më të mirave të Shqipërisë.

Sot në orën 15:00 do të luhet edhe ndeshja Besa-Tërbuni, e vlefshme për javën e 25-të të Kategorisë së Parë. Të dyja skuadrat nuk kanë shkëlqyer këtë sezon, por rezultati i sfidës së sotme mund të jetë vendimtar për zonën Play Off, prandaj si kavajasit edhe pukianët do të mundohen të marrin maksimumin e pikëve. / Oversport.tv