Sytë nga Juventus-Milan, skuadra Oversport transmetim special nga Torino

Juventus-Milan është një klasike e futbollit italian, një përballje mes dy skuadrave që kanë shkruar historinë e Serie A. Dy rivalët e vjetër do të ndeshen në stadiumin “Allianz” në orën 20.45 në një sfidë që vlen shumë, pavarësisht se luhet vetëm java e katërt e kampionatit.

Për shikuesit e Oversport kjo sfidë do të sjellë emocione të veçanta, pasi Alban Xhihani dhe Florian Myrtaj do të komentojnë live nga stadiumi, ndërsa bukuroshja Cindy Marina do të sjellë intervista ekskluzive direkt nga fusha e blertë.

Skuadrat qëndrojnë në pozicione të kundërta në tabelën e klasifikimit, por objektivi në këtë takim është i njëjtë. Juventusi kërkon fitoren e para sezonale që të dalë nga ky moment i vështirë, ndërsa Milani synon fitoren e radhës në kampionat që të konsolidojë pozitat si favorit për titullin.

Aktualisht diferenca mes dy skuadrave në renditje është 8 pikë dhe një fitore e kuqezinjve do të rriste akoma më shumë avantazhin ndaj një rivali direkt për titull.

Trajneri i Juventusit, Max Allegri pritet të hedhë në fushë të njëjtin formacion që mposhti Malmon në mesjavë, me Chiellinin të vetmen risi. Do të jetë Bonucci ai që do të ulet në pankinë, pas këtij ndryshimi. Chiesa rikthehet në dispozicion, por vështirë ta nisi si titullar kundër Milanit.

Më pak mundësi zgjedhjeje ka Stefano Pioli, që duhet të bëjë llogaritë me mungesat e shumta. Listës së të dëmtuarve Ibra, Bakayoko, Messias dhe Krunic, iu shtuan edhe emrat e Calabria dhe Giroud.

Probleme ka edhe për portierin Maignan (i grumbulluar për këtë takim), që nëse nuk ia del do t’i lerë vendin në portë Tatarusanus. Zgjedhje të detyruara për Piolin edhe në sulm, ku Rebic do të jetë sërish në majë të repartit të avancuar.

Formacionet e mundshme

Juventus (4-4-2): Szczesny; Danilo, De Ligt, Chiellini, Alex Sandro; Cuadrado, Bentancur, Locatelli, Rabiot; Dybala, Morata.

Milan (4-2-3-1): Maignan; Tomori, Kjaer, Romagnoli, Theo Hernandez; Kessié, Tonali; Saelemaekers, Brahim Diaz, Leao; Rebic