Sytë nga Napoli-Juventus në Oversport, pavarësisht mungesave spektakli është i garantuar

Superndeshja e ditës së sotme të Serie A është padiskutim, përballja Napoli-Juventus në orën 18.00. Një rivalitet historik që ndihet shumë nga tifozeritë e të dyja skuadrave. Spektakli është i garantuar në shkallët e stadiumit “Maradona” dhe në ekranin e Oversport.

Napoli ka nisur shumë mirë këtë kampionat duke koleksionuar 2 fitore në po aq ndeshje të luajtura. Skuadra e Spallettit synon të vazhdojë serinë e rezultateve pozitive edhe përballë rivalëve bardhezi.

Osimhen rikthehet në dispozicion të teknikut pas uljes së skualifikimit dhe pritet që të luajë titullar së bashku me Anguissa. Ospina kthehet në portë, ndërsa Demme, Ghoulam, Lobotka, Meret dhe Mertens do të mungojnë për shkak dëmtimesh.

Juventusi e ka nisur shumë keq këtë sezon të Serie A, me vetëm një pikë të grumbulluar në 2 takime të luajtura. Të besuarit e Max Allegrit kërkojnë të dalin nga kjo situatë e vështirë, duke synuar maksimumin në transfertën napoletane.

Mungesat për këtë sfidë janë të shumta, por tekniku ka deklaruar se ka alternativa për t’u përballur me sukses me Napolin. Arthur, Kaio Jorge, Chiesa, Alex Sandro, Cuadrado, Danilo, Bentancur dhe Dybala do të mungojnë në këtë takim. Kean apo Kulusevski në krah të Moratës është një nga dilemat e teknikut.

Formacionet e mundshme

Napoli (4-3-3): Ospina; Di Lorenzo, Manolas, Koulibaly, Mario Rui; Anguissa, Fabian Ruiz, Elmas; Politano, Osimhen, L. Insigne.

Juventus (3-5-2): Szczesny; De Ligt, Bonucci, Chiellini; De Sciglio, Mckennie, Locatelli, Rabiot, Bernardeschi; Morata, Kean