Nuk i del inati tenistit skocez për humbjen ndaj Stefanos Tsitsipas dhe shkruan në Twitter: “Më pak kohë iu desh Jeff Bezos për të shkuar në hapësirë, sesa Tsitsipas për të vajtur në tualet”.
Andy Murray, ish numri një në Botë, ka zhvilluar ndeshjen e vitit, të pestën më të gjatë të karrierës së tij. Plot 4 orë e 49 minuta përballë kundërshtarit i cili e mposhti në setin e fundit.
Më shumë se rezultati, skocezin e kanë mërzitur taktikat e Tsitsipas, që fillimisht ka kërkuar një pushim mjekësor dhe më pas ka qëndruar larg fushës për një kohë të gjatë për t’u ndërruar.
“Tsitsipas është një tenist i madh, por e kam humbur respektin për të. Mund të jetë edhe rastësi, por besoj se vonesat e shumta ndikuan në rezultatin e takimit”-ka deklaruar Murray.