Tare një prej kandidatëve, te Juventusi po mendojnë të “rrëmbejnë” edhe drejtuesin e Milanit

Te Juventusi po mendojnë për një ristrukturim në drejtimin teknik të klubit. Me largimin e treshes Arrivabene-Nedved dhe Cherubini, bardhezinjtë tashmë po mendojnë për të marrë një emër të rëndësishëm në menaxhimin e skuadërs.

Këtë herë bëhet fjalë për drejtuesin e Milanit, Ricky Massara. Ky i fundit është pranë një lamtumire nga skuadra kuqezi në fundin e sezonit për shkak të një ftohjeje që ka pasur kohët e fundit me pronarët e klubit.

Nga ana tjetër Massara është i tunduar nga oferta e Juventusit dhe po e shqyrton mundësinë për të ndryshuar skuadër. Në aventurën e tij te Milani, Massara ka bërë një punë të shkëlqyer së bashku me Paolo Maldinin duke afruar lojtarë cilësore të cilët e çuan klubin nga Milano drejt titullit të 19-të të Serie A në historinë e tyre.

Kështu, pas emrit të Igli Tares, te Juventusi ka dalë në skenë një tjetër emër për të marrë poste drejtuese pas largimit të gjithë kupolës që menaxhonte klubin për shkak të skandalit me plusvalencat. /oversport.tv

Foto: AC Milan, Facebook