Tedi Cara për Oversport: Do të sakrifikoja derbin për titullin kampion

Tedi Cara është i bindur se Partizani do të bëjë një tjetër paraqitje përballë Tiranës, krejt ndryshe nga ajo e fazës së parë. Në një intervistë për Oversport, futbollisti i të kuqve është i bindur se ka ardhur momenti për revansh ndaj rivalëve të kryeqytetit.

“Në këto dy ndeshjet e fundit kemi pasur dy pjesë të ndryshme. Si me Kukësin një pjesë e parë e zhvilluar mirë, ndërsa në pjesën e dytë kemi ulur ritmin. Kjo gjë nuk duhet të ndodhë në derbi sepse, në derbi një gabim të bësh është fatale më pas.

Ndeshja derbi ka një rëndësi tjetër. Edhe për ne ka një rëndësi maksimale. Do të futemi në fushë për të fituar sepse na jep një moral tjetër, por edhe diferencë pikësh ndaj Tiranës që e kemi një rival direkt.

Nga ndeshja e parë kemi marrë mësimin e duhur. Ato gabime që bëmë ndeshjen e parë nuk do t’i bëjmë këtë herë sepse na kushtëzojnë dhe na duhet fitore për t’i kthyer reston atyre, por edhe të bëjmë të lumtur tifozët.”

Kombëtarja bën shpesh bashkë lojtarët e të dy kampeve në ekipet e kryeqytetit. Tedi Cara është prej një kohe të gjatë pjesë e ekipeve kuqezi dhe ai tregon edhe miqësinë që ka më së shumti te Tirana, por flet edhe nëse kanë komunikuar mes tyre gjatë kësaj periudhe apo jo.

“Jo nuk kemi folur fare. Zakonisht kam folur me lojtarët e Tiranës në derbit e tjerë, por këtë javë jo. Unë kam më shumë miqësi me Ismajlgecin nga Tirana, por këtë javë jemi të fokusuar te ndeshja dhe nuk kemi folur me njëri-tjetrin.”

Tedi Cara është ambientuar mirë tek të kuqtë, por nuk i mohon ambiciet madhore që ka.

Ambiciet janë gjithmonë për të arritur më lart dhe për t’u transferuar jashtë. Edhe unë këtë ambicie kam për momentin. Këtë vit megjithatë, jam fokusuar te Partizani për të fituar titullin kampion dhe pastaj të shohim. Po fituam titullin kampion kemi edhe vlerën tonë të shtuar, të gjithë lojtarët, por edhe klubi.”

Tirana dhe Partizani janë pozicionuar në krye të klasifikimit dhe po luftojnë mes tyre për titullin, duke krijuar një diferencë deri më tani nga ndjekëset. Mirëpo, në raport me përballjet derbi, lojtari zgjedh nëse i sakrifikon apo jo për titullin kampion.

“Është pak e vështirë, por për titullin kampion, sakrifikohen.”

Këtë sezon, Cara ka realizuar dy herë por ai ndaj Erzenit ishte me të vërtetë një gol model i kampionatit shqiptar, por së në sfidën e fundit, e rivalizon edhe Bitri. Megjithatë, Cara është i bindur se e ka realizuar ai golin më të bukur. /oversport.tv