Tekniku D’Aversa rrezikon shkarkimin, vendimtare sfida e ardhshme me Bolognan

Humbja e thellë përballë Torinos ka ndezur sinjalin e alarmit në kampin e Sampdorias. Trajneri Roberto D’Aversa ka grumbulluar vetëm 9 pikë në 11 javë kampionat dhe skuadra e tij e sheh veten në vendin e 15-të në tabelën e klasifikimit.

Nuk është ajo që drejtuesit e klubit prisnin nga skuadra në këtë fillim kampionati, ndonëse në krahasim me sezonin e kaluar, kur në krye të pankinës ishte Ranieri, Sampdoria ka vetëm 2 pikë më pak.

Të dielën e ardhshme është ndeshja kundër Bolognas dhe kjo do të jetë “mundësia e fundit” për teknikun D’Aversa për të ruajtur pozicionin e tij në krye të skuadrës. Duhet të fitojë, që të mund të vazhdojë aventurën e tij në krye të Sampdorias.

Në të kundërt, shkarkimi është i pashmangshëm dhe Beppe Iachini është i pari në listë për ta zëvendësuar. Ka edhe opsione të tjera, por Iachini, që është përfolur për të marrë drejtimin e Sampdorias edhe verën e kaluar, është favoriti kryesor në këto momente. / Oversport.tv