Telashe për Federico Bernardeschin jashtë fushës së blertë. Mesfushori i Juventusit ka marrë një gjobë të majme nga autoritetët lokale dhe i është pezulluar aktiviteti tregtar në resortin “Amare Holi Beach” në Marina di Carrara, pasi policia ka zbuluar 11 punëtorë të pasiguruar.
Sipas “La Nazione” ylli i bardhezinjve dhe kombëtares italiane është gjobitur 40.000 euro dhe aktiviteti në resort është pezulluar. Bernardeschi është pronari i resortit dhe policia ka gjetur aty 11 punëtorë të pasiguruar gjatë një eventi këtë verë.
Në këtë ambient mesfushori zhvilloi edhe dasmën e tij këtë verë me Veronica Ciardi, menjëherë pas kthimit nga Euro 2020.
Është një vend shumë i bukur pranë detit, por në një kontroll rutinë të policisë ditët e fundit, nga 16 punëtorë të pranishëm, vetëm 5 prej tyre kishin kontrata të rregullta pune.
Kompania që menaxhon vendin tha se 11 personat nuk ishin punonjës së resortit, por gazeta raporton se ata punonin si kamarierë, banakierë dhe pjatalarës. /Oversport.tv