“Problemi më i madh është te kontrata e Brozovic dhe Al Nassr. Nëse nuk gjejnë së bashku një zgjidhje të shpejtë, atëherë do ta heqim nga merkato mesfushorin”, këto kanë qenë fjalët e Beppe Marottës sa i përket tratativave mes kroatit, Interit dhe klubi arab të Al Nassr.
Numri 1 i merkatos zikaltër ka shtuar presionin te palët për të gjetur sa më parë një zgjidhje dhe në Itali sot e konsiderojnë si një ditë vendimtare. Klubet dhe lojtari janë duke negociuar për të gjetur një zgjidhje sa më parë, pas shumë turbulencash në bisedime.
Fillimisht ishin dy klubet që gjetën një marrëveshje për 23 milionë euro, por u ndal nga Brozovic që kërkonte një pagë më të lartë nga sa i ishte ofruar. Më pas u gjet marrëveshja mes Brozovic dhe Al Nassr për 100 milionë euro në tre sezone, por u ul oferta tek Interi nga 23 në 15 milionë euro.
Këtë herë tratativa bllokohet nga zikaltrit. Megjithatë, palët janë ulur sërish në negociata dhe arabët duket se kanë përmirësuar ofertën e tyre, por në rast se nuk gjendet marrëveshja, atëherë Brozovic do të qëndrojë tek Interi. Edhe vetë Marotta u shpreh se nuk janë të detyruar të shesin mesfushorin kroat, por gjithçka do të varet edhe nga dëshira e vetë Brozovicit. /oversport.tv