Tenis: Starton Kupa Davis, Italia debuton përballë Amerikës

Italia do të debutojë në finalet e Kupës Davis ditën e sotme përballë Amerikës në “Pala Alpitour” të Torinos. Në impiantin që ishte teatri i ATP Finals, do të zhvillohen edhe ndeshjet e grupit E (Itali, Amerikë dhe Kolumbi) dhe Grupit D (Australi, Kroaci dhe Hungari).

Çdo përballje mes shteteve luhet në tre ndeshje: dy ndeshje individuale (luajnë numri 1 dhe 2 i çdo shteti mes tyre) dhe një ndeshje dyshe. Në çerekfinale kualifikohet skuadra e parë e grupit, ndërsa 2 skuadrat e dyta më të mira kanë mundësi për të vazhduar më tej.

Italia do të luajë kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa dy përballjet e tjera të ditës së sotme në Kupën Davis janë Spanjë-Ekuador dhe Serbi-Austri. Të treja sfidat do të luhen në orën 16:00. / Oversport.tv