Terrenet e rënduara, fushat italiane fajtore për dëmtimet

6 takime në 11 ditë. “San Siro” nuk po arrin të gjejë pushim dhe shtimi i numrit të ndeshjeve e ka kthyer në problematike situatën me terrenin e stadiumit të Milanos.

Inter për Superkupën e Italisë dhe Milan për Kupën e Italisë  zhvilluan dy ndeshje në harkun kohor të 24 orëve  dhe sikur të mos mjaftonte kaq,  për të dyja sfidat u nevojitën edhe kohët shtesë.

Pikërisht fusha e dy skuadrave milaneze që fillimisht dukej thjeshtë një problem për të cilin duhej tërhequr vëmendje, tani është kthyer në një situatë emergjente dhe që frikëson të gjitha skuadrat.

Shqetësimi kryesor është ai i dëmtimeve të lojtarëve dhe viktima më e fundit , sipas analizave, duket se është bërë Fikayo Tomori. Mbrojtësi anglez i Milanit u dëmtua në gju gjatë ndeshjes kundër Xhenoas, pas një lëvizjeje jo natyrale në fushë.

Të dy klubet kanë ngritur shqetësimin prej mesit të muajt dhjetor por ende asgjë nuk ka ndryshuar në San Siro. Të hënën Milan do të rikthehet të luajë në “Giuseppe Meazza” kundër Spezias në kampionat ndërkohë që dy ditë më vonë Inter do të presë Empolin për Kupën e Italisë.

Të njëjtin shqetësim mediat italiane ngritën me të lartë edhe pas dëmtimit të Federico Chiesa-s gjatë ndeshjes së Juventus kundër Romës, me fushën e Olimpicos që vuan gjithashtu shumë “shkelje” dhe që është një terren i rrezikshëm sa i përket pësimit të dëmtimeve. / Oversport.tv