Terry: Bonucci dhe Chiellini janë që tani legjenda, por sot fiton Chelsea

Juventus diskuton vendin e parë në grup me Chelsean dhe kush më mirë se një legjendë e prapavijës së bluve, si John Terry mund të analizojë pikat e forta dhe të dobëta të bardhezinjve në këtë sfidë.

Në një intervistë për “Gazzetta Dello Sport”, ish-mbrojtësi anglez komenton edhe dyshen e prapavijës së Juves, Bonucci-Chiellini. “Edhe unë njësoj si Bonucci kam luajtur më parë si mesfushor. Në ndeshjen e parë si mbrojtës, kemi shënuar të dy.

Bonucci e Chiellini janë më të mirët e këtij brezi. Dy top lojtarë. Janë legjenda. Edhe unë i kam studiuar, pasi gjithmonë i kam studiuar italianët për mënyrën si mbrojnë. Gjithçka ka nisur me Baresin, ndërsa Maldini është për mua një mit absolut. Njeriu që e bënte të dukej çdo gjë e lehtë. Asnjë mbrojtës nuk ka pasur një stil aq natyral si ai”, ka deklaruar fillimisht ish-mbrojtësi i Chelseas.

Ish-kapiteni legjendar i “Bluve të Londrës”, sot pjesë e stafit të trajnerëve të Aston Villës, analizon përballjen që do të vendosë se cila do të kryesojë grupin në Champions.

“Fiton Chelsea 2-0. Sepse mendoj se nuk ka të njëjtat probleme që i pati në Torino. Sipas meje, edhe me ndonjë mungesë që mund të ketë në këtë ndeshje, është superior ndaj Juves”, ka vijuar Terry.

Në fjalën e tij, nuk mund të mungonte edhe një koment për episodin e Chiellinit me Saka në Europian, apo edhe për vetë finalen e humbur të “Tre Luanëve”.

“Sipas meje, Anglia ishte më e fortë, por Italia kishte diçka speciale. Kur i kam parë që në ndeshjet e grupeve të përqafuar në momentin e himnit e më tej në çdo ndeshje, kam thënë: Kjo është ajo që duan tifozët. Të luftojnë të gjithë bashkë, me pasion. Eksperienca ka vendosur gjithçka në favor të tyre.

Të bësh atë faull ndaj Saka, nuk është e lehtë. Nëse arrin të jesh aq i kthjellët sa të mendosh aq shpejt në atë mënyrë: Je një legjendë. Ndërsa për momentin që po kalon tani Italia mund të them se në momentin që je kampion, të gjithë japin 10 apo 15% më tepër sesa vetë mundësitë që kanë.

Nuk është se bie ti, por rriten kundërshtarët përballë teje. Trajneri më i mirë? Jose Mourinho. Një herë dëmtova kaviljen dhe ai vinte në dhomën e rikuperimit dhe ai vinte aty e më injoronte. Isha kapiten dhe nuk mund ta duroja. I kërkova doktorit të më bënte një injeksion dhe të nesërmen luajta. Më pas, Mourinho më dërgoi pesë ditë për rikuperim në Dubai”, ka deklaruar Terry. /Oversport.tv