Teuta dhe VAR-i ndalin Vllazninë, barazim emocionues në “Loro Boriçi”

Tjetër ndeshje pa fitues në Abissnet Superiore, këtë herë mes Vllaznisë dhe Teutës në “Loro Boriçi”. Një duel mjaft i luftuar, që i pati të gjitha: VAR, karton i kuq, dy gola dhe në fund gjithçka që u mbyll me rezultatin 1-1.

Teuta iu afrua golit me anë të Sebino Plakut, i cili goditi shtyllën. Në 45 minutat e para për Vllazninë rrezikoi Ante Aralica, i cili i vetëm me portierin Qirko e dërgoi topin jashtë.

Në fundin e pjesës së parë Todorovksi i Teutës u ndëshkua me karton të kuq, pasi gjyqtari Kreshnik Bajramaj pa gjithçka në VAR. Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll në barazim pa gola.

Në të dytën Vllaznia pretendoi për një penallti dhe arbitri Bajramaj ishte i bindur për faullin në zonë, por me ndihmën e VAR dalloi që Latifi më parë kishte qenë pozicion jashtë loje.

Gjithsesi Vllaznia ia doli të shënonte me brazilianin Victor Da Silva, i cili me kokë e çoi topin në rrjetë. Teuta, edhe pse me një lojtar më pak, nuk u dorëzua dhe ai që befasoi portierin Zogovic ishte Koubemba.

Goli i parë për sulmuesin në kampionatin tonë. Në minutat shtesë Vllaznia shënoi sërish, këtë herë me të riun Mehdi Çoba. Sërish VAR në lojë dhe goli nuk vlejti, edhe pse ka shumë dyshime për pozicionin e sulmuesit. Në fund gjithçka përfundoi 1-1, po aq sa duelet Dinamo-Laçi dhe Skënderbeu-Partizani. / oversport.tv