Teuta dhe Vllaznia masin forcat në Elbasan, luhet edhe Laçi-Dinamo

Do të luhen sot 2 ndeshje që do të çelin sfidat e javës së 11-të të Abbisnet Superiore. Në orën 13:45 në Laç skuadra vendase do të presë Dinamon, ndërsa në orën 16:45 në “Elbasan Arena” do të luhet takimi Teuta-Vllaznia.

Laçi u mposht nga Vllaznia javën e kaluar, duke i dhënë fund një serie rezultatesh pozitive. Të besuarit e Josës kërkojnë të lënë pas krahëve këtë disfatë duke synuar maksimumin e pikëve në sfidën e sotme kundër Dinamos.

Miqtë nga kryeqyteti kanë mposhtur Kastriotin javën e kaluar dhe sot kërkojnë një tjetër rezultat pozitiv, që të ngjiten akoma më lart në renditje. Të dyja skuadrat kanë nisur sezonin me ambicie të mëdha, por deri më tani nuk kanë shkëlqyer në fushën e blertë.

Kryendeshja e ditës së sotme do të jetë përballja mes Teutës dhe Vllaznisë në “Elbasan Arena”. Disfata në shtesë përballë Partizanit solli largimin e trajnerit Martini nga stoli i Teutës dhe sot kundër shkodranëve do të debutojë në stol, trajneri i ri Renato Arapi. Teuta ka 4 ndeshje që nuk arrin të fitojë dhe përballë Vllaznisë do të kërkojnë kthesën e shumëpritur.

Shkodranët po kalojnë një moment të mirë dhe falë rezultateve pozitive të javëve të fundit janë ngjitur në vendin e tretë në renditje. Të besuarit e teknikut Brdaric kërkojnë një tjetër sukses përballë një rivali direkt, që ti afrohen akoma më shumë kreut të renditjes. / Oversport.tv