Teuta synon të rikthehet tek suksesi, por përballë ka një Skënderbe në formë

Sfida Teuta-Skënderbeu, që do të luhet në orën 13:45 në stadiumin e Kamzës, është ndeshja e vetme e Abissnet Superiore ditën e sotme.

Kampionët në fuqi të vendit kërkojë fitoren në sfidën e sotme kundër korçarëve, që të mos humbasin kontaktin me kreun e renditjes. Durrsakët duan të harrojnë disfatën e fundit në kampionat përballë Laçit dhe sot synojnë të rikthehen tek fitorja, që të mos u largohen  objektivave të tyre.

Adolf Selami, Albano Aleksi, Reuben Acquah dhe Jackson Ferreira do të mungojnë në sfidën e sotme kundër Skënderbeut.

Miqtë kërkojnë që të vazhdojnë serinë e rezultateve pozitive edhe në sfidën e sotme, duke synuar pikë përballë Teutës. Korçarët kanë mposhtur Kukësin në ndeshjen e fundit në kampionat, ndërsa në mesjavë janë kualifikuar për në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë.

Të besuarit e Memellit kërkojnë të shfrytëzojnë këtë moment pozitiv, duke synuar pikë në transfertën e sotme në Kamzë, që ti largohen zonës së ftohtë në tabelën e klasifikimit.

Faza e parë e Abissnet superiore do të mbyllet nesër me dy sfidat Dinamo-Egnatia dhe Kukesi-Tirana. /Oversport.tv