Teutës nuk i mjafton Lorenco Vila, ndalet në Kamëz nga Skënderbeu

Duket se Teuta ka harruar të fitojë. Të besuarit e Martinit zhgënjejnë në ndeshjen e fundit të fazës së parë, duke barazuar 2-2 përballë Skënderbeut në Kamëz.

Korçarët kalojnë të parët në avantazh, por Lorenco Vila përmbys gjithçka me dy golat e tij. Skënderbeu reagon dhe barazon rezultatin me Bajramin 12 minuta para përfundimit të takimit. Teuta humbet tre pikë që i kushtojnë shumë, ndërsa korçarët marrin një pikë me peshë në luftën për mbijetesë.

Teuta, ndonëse me disa mungesa të rëndësishme në formacion, kërkon që të dominojë ndeshjen që në minutat e para, duke u shfaqur më agresive në fushë dhe duke sulmuar kundërshtarin. Por, goli i parë shënohet nga korçarët, që pas një zbritjeje të bukur gjejnë rrugën e rrjetës me Mensah.

Pas një krosimi të bukur të Jean Victor nga e majta, sulmuesi ganez shënon një gol të bukur me kokë. Durrsakët nuk janë dakort me këtë rezultat dhe hidhen në sulm në kërkim të golit. Përpjekjet e Teutës finalizohen në minutën e 36-të, kur Lorenco Vila shënon një gol shumë të bukur dhe barazon rezultatin. 1-1 mbyllet pjesa e parë në Kamëz.

45 minutat e dyta fillojnë me gol. Është sërish Lorenco Vila, që gjen rrugën e rrjetës, duke kaluar në avantazh skuadrën durrsake. Vendasit marrin frymë lirisht dhe mundohen të administrojnë rezultatin, ndërsa Skënderbeu mundohet që të reagojë.

Miqtë i afrohen shumë barazimit, por Mensah godet traversën në minutën 58-të. Skënderbeu pretendon për penallti në dy raste brenda të njëjtit aksion.

Elvi Berisha protagonist në krahun e majtë, në fillim pretendon për një prekje me dorë nga Aleksi, ndërsa më pas pengohet në mënyrë të parregullt. Enea Jorgji sheh rastet në VAR dhe vendos që loja të vazhdojë.

Skënderbeu këmbëngul dhe gjen golin e barazimit me Bajramin, që i sapofutur në fushë, shënon me kokë në portën e durrsakëve. Korçarët marrin zemër dhe luajnë më mirë në minutat e mbetura, madje humbasin një shans të mirë për të kaluar në avantazh në minutat e fundit të takimit.

Abissnet Superiore – Java e 9-të

Teuta-Skënderbeu 2-2

L.Vila 36’, 48’  / Mensah 19’, Bajrami 78’