Theo Hernandez pranë rinovimit, i ofrohet dyfishimi i pagës

Pas rinovimit me trajnerin Stefano Pioli, te Milani vazhdojnë fushatën e rinovimeve. I fundit është Theo Hernandez që duket shumë pranë një kontrate të re me kuqezinjtë. Perfomancat e mira të francezit kanë bërë që drejtuesit e Milanit ta blindojnë sa më parë mbrojtësin.

Kështu, Massara dhe Maldini kanë biseduar gjatë me agjentin e tij Manolo Quillon. Sipas mediave italiane janë hedhur hapa shumë të rëndësishëm për rinovimin e francezit. Aktualisht, Hernandez përfiton 1.5 milionë euro te Milani, një shifër që nuk e kënaq mjaftueshëm mbrojtësin.

Për pasojë, Maldini dhe Massara kanë menduar t’i ofrojnë atij një kontratë të re ku Hernandez do të përfitojë më shumë se dyfishin e pagës. Në tavolinë qëndron një ofertë që do ta mbajë mbrojtësin lidhur me Milanin deri në vitin 2026. Për sa i përket pagës ajo do të jetë 3.5 milionë euro plus bonuse. /oversport.tv