Nuk e nisi ndeshjen si titullar, por hyri nga pankina dhe vendosi fatin e takimit. 3 pikët që mori Milani të mërkurën në mbrëmje përballë Venezias mbajnë edhe firmën e Theo Hernandez:
francezi në fillim shërbeu asistin për Brahim Diaz, që shënoi golin që zhbllokoi ndeshjen dhe më pas shënoi edhe vetë golin që vulosi fitoren e kuqezinjve.
“E dinim që ishte një ndeshje e rëndësishme dhe që kundër Venezias nuk do ta kishim të lehtë. Vinim nga një seri ndeshjesh të vështira dhe Pioli vendosi që të më jepte pak pushim.
Pastaj u futa në fushë dhe arrita të bëj atë që më pëlqen më shumë”-ka deklaruar francezi pas ndeshjes.
Në fund mbrojtësi anësor nuk i fsheh objektivat sezonalë: “Punojmë çdo ditë për t’u bërë më të mirët. Objektivi është të fitojmë titullin kampion. Do të luftojmë për të arritur të parët dhe do ta bëjmë këtë gjë deri në ndeshjen e fundit të kampionatit”-ka përfunduar Theo Hernandez. /Oversport.tv