Thomas Brdaric: Keqardhje që nuk fituam! Titulli? Mos të ëndërrojmë

Vllaznia nuk ia doli të fitonte ndeshjen e katërt radhazi, pasi barazoi 1-1 kundër Egnatias në “Loro Boriçi”. Zhgënjimi në Shkodër është i madh dhe trajneri Thomas Brdaric për mediat pas ndeshjes u shpreh.

“Ishte kundërshtar tjetër, tjetër përgatitje për këtë ndeshje. Nuk duam të gjejmë alibi. Në përgjithësi nuk ishim mirë dhe është për të ardhur keq, pasi kishim mundësi të merrnim pikë dhe të ngushtonim diferencën me skuadrat që janë përpara nesh në tabelë. Nuk shkuan gjërat siç duhet sot”.

“Sulmi? Pamë sot që krijuam raste dhe mundësi shënimi. Nuk na ka munguar vetëm sot efikasiteti para portës. Duhet ta përmirësojmë këtë pjesë. Të ulim kokën, të heshtim dhe të punojmë. Nuk është gjithçka keq, por duhet të përmirësohemi”.

“Titulli? Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, të mos ëndërrojmë. Jemi në një situatë të vështirë, pasi edhe pritshmëritë janë të larta. Vllaznia mund të jetë konkurrues me të gjitha skuadrat. Duhet që të gjithë të japin më të mirën për të fituar ndeshjet. As me pesë për qind më pak nuk është mjaftueshëm”.

“Kupa, ndaj Flamurtarit? Nga nesër do të marrim seriozisht përgatitjet për Kupën. Duhet të kemi kujdes me çfarë themi, të jemi të qetë e të kthjellët”.

“Pse nuk përforcoheni, nuk ka lekë apo je i kënaqur me ekipin? Së pari që të gjithë jemi të zhgënjyer, pasi pritej fitorja sot. Nesër do të ulemi, kur të jemi më të qetë dhe do të diskutojmë.

Unë jam trajneri dhe nuk mendoj se kemi nevojë për blerje të tjerë. Unë jam trajneri dhe nuk paguaj para për lojtarë të tjerë, jam këtu për të stërvitur ekipin me të gjitha mundësitë e mia. Kjo është puna ime”.

“Deklaratat për titullin nga Xhaferi? Për mua si trajner është gjithmonë sfidë për ta përgatitur ekipin për ndeshjen e radhës. Ishte e vështirë si shkoi kjo përballje. Është e rëndësishme është të jemi të qetë, të marrim vendimet e duhura për të ardhmen”. / oversport.tv