Thumbon Pochettino: Humbja ndaj Monacos? Lojtarët mendonin për kombëtaren

Duke folur në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes kundër Lorientit, trajneri i Paris Saint-Germain, Mauricio Pochettino foli për dështimin e Marco Verratti dhe Gianluigi Donnarumma për t’u kualifikuar në Kupën e Botës. “Mendoj se është e vështirë të rifillosh pas pushimit të kombëtareve. Shumë lojtarë kanë luajtur ndeshje vendimtare.

Jam i trishtuar për Marcon dhe Gigio, por të gjithë kanë luajtur ndeshje të vështira, disa janë të lodhur, por ne do të jemi gati për ndeshjen kundër Lorientit, do të marrim tre pikët. Kjo sfidë është e rëndësishme për ne, Ligue 1 është objektivi ynë. Të luash kundër Lorientit është gjithmonë e vështirë”.

Pochettino më pas foli edhe për humbjen në sfidën e fundit kundër Monacos: “Ndoshta ndodhi edhe sepse disa po mendonin që atëherë për ndeshjet me kombëtaret që do të ishin vendimtare. Ky nuk është një justifikim, sepse ne nuk luajtëm mirë. Këto ditë kishim pak lojtarë dhe u përqëndruam në aspektin fizik”. /oversport.tv

Foto: psg.fr