“Ekip i shkatërruar, Agnelli katastrofa perfekte”, shpërthejnë ultrasit e Juves

2 banderola të vendosura nga grupi i tifozëve ultras Viking, në kangjellat e jashtme të stadiumit “Allianz” kontesojnë zgjedhjet e klubit bardhezi në merkato dhe kritikojnë presidentin Agnelli.

“Skuadër e shkatërruar dhe një stadium si sallon… Agnelli dhe Pairetto katastrofa perfekte”-shkruhej në një nga banderolat.

Tifozët kontestojnë klubin për merkaton e dobët, largimin e Ronaldos dhe blerjen e shumë pak lojtarëve.

Ndërsa në banderolën tjetër nuk kishte probleme me skuadrën, por flitej për kontrastet e brendshme të grupimeve të tifozerisë së organizuar të klubit bardhezi.

Tifozët presin që skuadra të fillojë të reagojë, që nga ndeshja e ardhshme ajo kundër Napolit. Sepse vetëm një pikë e grumbulluar në dy ndeshje të luajtura kundër Udinese-s dhe Empoli-t janë shumë pak për një skuadër si Juventusi.