Mbështetja e publikut është një nga armët kryesore të një skuadre dhe në Serinë A, sezoni i fundit ka parë më shumë se kurrë rikthim të mbështetësve në shkallët e stadiumit. Rritja e interesimit tregon edhe një herë rikthimin e skuadrave italiane në formë të mirë, çka e demonstroi edhe sezoni i fundit në Champions me 3 skuadra në gjysmëfinale dhe Interin në finale ndaj Manchester City.
Skuadra zikaltër, siç raportohet ka arritur një rekord tifozësh këtë sezon, duke përfshirë kampionatin, Kupën dhe ndeshjet në Champions teksa ka pasur në “San Siro” 2 milionë tifozë. Një numër që për sa i përket të ardhurave ka sjellë për zikaltrit 81 milionë Euro, edhe kjo një shifër rekord për ekipin milanez.
Sa i përket sezonit të fundit, 2022-2023, Milan është në vendin e dytë për numrin e spektatorëve në Serinë A. Kjo sa i përket abonimeve, apo edhe ndeshjeve që “San Siro” ka qenë e ezauruar tërësisht për kuqezinjtë si pritës. Rritje e konsiderueshme për mbështetjen që po merr skuadra e Piolit.
Në podium është Roma, e me sa duket Mourinho e ka dhënë efektin e tij me një mesatare prej rreth 66 mijë tifozësh për ndeshje. 33 ndeshje e ka ezauruar stadiumin Napoli që me gjithë sezonin fantastik dhe titullin kampion, është renditur vetëm në vendin e katërt.
Interesant është fakti që Sampdoria, megjithëse sportivisht pati një sezon të dështuar dhe përfundoi në Serinë B për këtë edicion të ri, tifozët e saj kanë qenë besnik dhe të shumtë duke lënë nëntë skuadra të tjera pas tyre.