Tirana dhe Kukësi mundësi për t’u ngjitur në krye të renditjes të “Abissnet Superiore”

Do të luhen sot dy takimet mbyllëse të javës së dytë të “Abissnet Superiore”. Tirana do të luajë kundër Egnatias në stadiumin “Selman Stërmasi” në orën 13.45, ndërsa Kukësi do të ndeshet me Kastriotin në “Elbasan Arena” në orën 16.45.

Bardheblutë e kryeqytetit kanë nisur shumë mirë kampionatin, pasi mposhtën 4-2 Skenderbeun në ndeshjen hapëse të sezonit. Tirana luan sërish në shtëpi dhe sot përballë debutuesve të Egnatias kërkon një tjetër sukses që të ngjitet në krye të renditjes së “Abissnet Superiore”. Miqtë nga Rrogozhina ndonëse kanë bërë investime të mëdha, u mundën në debutim nga 1-3 nga Kukësi.

Mungesa e fushave vazhdon të mbetet një problem në Shqipëri, prandaj një pjesë e mirë e takimeve të këtij sezoni që sapo ka nisur janë luajtur në “Elbasan Arena”, aty ku do të përballen edhe Kukësi me Kastriotin në orën 16.45. Kuksianët ndonëse kanë ndryshuar shumë këtë sezon, mbeten një skuadër me pretendime të mëdha dhe sot përballë Kastriotit synojnë një tjetër fitore. Miqtë u mposhtën nga Dinamo në debutimin sezonal dhe sot do të tendojnë pikët e para në kampionat. /Oversport.tv