Tirana e papërmbajtshme në krye, Dinamo dhe Partizani pa busull

Tirana fiton klasiken e futbollit shqiptar përballë Vllaznisë në Shkodër dhe marshon e vetme në krye të klasifikimit. Bardheblutë, pas fitores në derbi, ia dolën që të dominojnë edhe ndaj kuqebluve për të marrë 3 pikët e radhës që tanimë e distancojnë edhe nga Kukësi ndjekës.

Një gol i Xhixhës në mesin e pjesës së parë, çoi në dhomat e zhveshjes ë avantazh të besuarit e Shehit. Një karton i kuq për Tolin në minutën e 70-të, u duk se motivoi edhe më shumë kryeqytetasit teksa shtatë minuta më vonë, Seferi vulosi triumfin, me Vllazninë që u duk e pafuqishme për të ndalur vrullin e 25 herë kampionëve të Shqipërisë.

Për pjesën tjetër të kryeqytetit, është një periudhë e vështirë. Dinamo humb ndaj Kukësit ndeshjen e parë që luajti në kryeqytet pas kthimit në Superiore. Verilindorët u mjaftuan me një gol të Bashës, për të tentuar ruajtjen e hapit që po mban kryesuesja.

Në kampin e kuq, Partizani nuk di të fitojë. Gabimi i Alban Hoxhës i dhuron gol Egnatias në “Air Albania”, ndërsa barazimi i Carës në fund të pjesës së parë bën që të kuqtë të marrin barazimin e pestë 1-1. Pas shtatë javësh, Partizani i Dajës i cili këtë ndeshje ishte i pezulluar, numëron vetëm pesë pikë në vendin e tetë, po aq sa edhe Kastrioti.

Ky i fundit mori një barazim me shumë vlera përballë Teutës, duke e shkëputur këtë të fundit nga Kukësi. Laçi merr fitoren e dytë radhazi, me Josën në krye këtë takim, duke lënë pas shijen e krizës. Java e tetë e Abissnet Superiore rikthen në elitë derbin Dinamo-Tirana. /Oversport.tv