Tirana është finalistja e parë e Kupës së Pavarësisë, mposht lehtësisht Lubotenin

Tirana është finalistja e parë e Kupës së Pavarësisë për meshkuj e cila do të transmetohet live dhe ekskluzivisht vetëm në Oversport dhe Tibo. Kampionët e Shqipërisë në Volejboll triumfuan përballë Lubotenit me rezultatin e pastër 3-0 me sete.

Ndeshja nis mirë për bardheblutë që triumfojnë lehtësisht në setin në shifrat 25-16. Seti i dytë ndërkohë është më i luftuari dhe mbyllet me shifrat 26-24. Kryeqytetasit përmbysin gjithçka në fundin e këtij seti, pasi fillimisht shohin veten në disavantazh 24-23 dhe Lubotenit i mjaftonte vetëm 1 pikë për të vendosur baraspeshën.

Megjithatë, Tirana nuk e humbet toruan dhe ia del të përmbysë gjithçka, ku pika finale e këtij seti realizohet nga një bllok i numrit shtatë, Krist Martiro.

Seti i tretë ndërkohë fitohet lehtësisht nga kryeqytetasit me rezultatin 25-17 duke bërë kështu që Tirana të jetë finalistja e parë e Kupës së Pavarësisë dhe qëndron në pritje për të zbuluar konkurrentin që do të dalë nga dueli midis Pejës dhe Partizanit.

Kujtojmë që dy finalet e Kupës së Pavarësisë ajo për femra dhe ajo për meshkuj, do të zhvillohen më 27 nëntor dhe do të transmetohen live dhe ekskluzivisht në Oversport dhe Tibo. /oversport.tv