Tirana godet në merkato, rikthen në Superiore mesfushorin e talentuar

Tirana bën goditjen e parë në merkaton e janarit dhe rikthen në Superiore një emër të njohur të futbollit shqiptar. Oversport mëson se klubi bardheblu ka arritur marrëveshjen me Regi Lushkjan, që nesër do të nisë stërvitjen me kampionët e vendit.

Mesfushori rikthehet në kampionatin shqiptar si një lojtar I lirë, pasi vetëm pak ditë më parë ndërpreu bashkëpunimin me moldavët e Sheriff Tiraspol. Tirana ka mposhtur konkurencën e rivalëve të Partizanit dhe në ditët në vijim pritet të zyrtarizojë këtë goditje në merkato.

I formuar si futbollist te Besa e Kavajës, Lushkja spikati me fanellën e Laçit në kampionatin shqiptar. Mesfushori u aktivizua në 9 takime në kampionatin moldav dhe në 5 sfida në Champions League me skuadrën e Sheriff Tiraspol. / Oversport.tv