Tirana me mungesa “big”, Shehi: Futbolli i poshtër, s’ka ndeshje të lehta

Tirana përballet nesër me Egnatian dhe synon tre pikët, edhe pse nuk do të ketë të gatshëm Taulant Seferin dhe Erion Hoxhallarin. Trajneri Orges Shehi, para ndeshjes ka folur për mediat dhe fillimisht është shprehur:

“Në futboll nuk mendoj se ka ndeshje të lehta. Ato që shikohet në letër të lehta bëhen të vështira në fushë. Është një kundërshtar që vlen tre pikë, pavarësisht renditjes. Ata kanë lojtarë cilësorë brenda gjirit të tyre”.

“Gjendja është e mirë, atmosfera është e mirë. Nuk kemi vuajtur në aspektin e atmosferës këtë sezon, por gjendja fizike e lojtarëve nuk është 100 për qind, pasi dihet që na mungojnë Hoxhallari i dëmtuar dhe Seferi për shkak të kartonëve të verdhë”.

“Nuk mendoj se kemi vuajtur me Skënderbeun në minutat e fundit. E çuam ndeshjen 3-0 në 50 minuta dhe nuk mendoj se ka pasur kundërshtar që e ka bërë këtë kundër Skënderbeut. Sigurisht që pastaj disi ndryshon edhe motivimi, edhe mënyra e sjelljes në fushë. Ishte një ndeshje që ne e fituam ashtu siç deshëm”.

“Seferi? Taulanti është një nga lojtarët tanë kryesorë, i cili është i vetmi që i ka luajtur të gjitha ndeshjet. Edhe Hoxhallari është një nga shtyllat kryesore të skuadrës. Pesha e tyre është e madhe në skuadrën tonë, por kam besim se të gjithë lojtarët e tjerë që do të jenë në fushë do të bëjnë më të mirën që të mos ndjehet mungesa e tyre”.

“Përqendrimi duhet të jetë prezent gjithë kohën, pasi futbolli është i poshtër. Në momentin që ul vigjilencën, ul përqendrimin, mund të ndëshkohesh. Më pas kjo të sjell nervozizëm. Përqendrimi duhet të jetë maksimal, si këtë ndeshje, ashtu edhe ndeshjet e tjera që kanë emocione të tjera”. / oversport.tv