Tirana “shtyp” Dinamon në derbi, Seferi e Xhixha dhurojnë “show”

Hakmarrje e shpejtë, Tirana mposht Dinamon në derbin e kampionatit me rezultatin 4-0 dhe çon në gjashtë pikë diferencën me Kukësin e vendit të dytë që është ekipi më i afërt për momentin.

Dinamo e nisi ndeshjen me një pretendim për penallti, por VAR nuk u dha të drejtën bluve. Tirana nga ana tjetër ishte e rrezikshme me Seferin dhe Xhixhën. Të parin e ndali portieri Bakaj, kurse sulmuesi kurbinas e çoi topin ngjitur me shtyllën.

Vesel Limaj me një silurë nga distanca për pak desh e befasoi Dinamon, pasi topi mori një trajektore ë çuditshme dhe u devijua nga portieri i 18 herë kampionëve të vendit. Në fundin e pjesës së parë erdhi edhe goli për Tiranën.

Seferi i shpëton pozicionit jashtë loje dhe Sidibe më pas e devijoi topin, por gjeti këmbën e sulmuesit të bardhebluve dhe mori drejtimin për në rrjetë. Festë te kryesuesit e kampionatit, që në fillim të pjesës së dytë u rrezikuan nga Agim Ibraimi pas një goditjeje dënimi.

Për t’i dhënë fund këtij takimi mendoi Redon Xhixha, i cili shënoi dy gola në portën e Bakajt për pesë minuta dhe me rezultatin 3-0 llogaritë e ndeshjen mund të quheshin të mbyllura. Tirana deri në fund shënoi edhe një gol me Engjëll Hotin, duke triumfuar me “poker” në derbin kundër Dinamos.

ABISSNET SUPERIORE – JAVA 8
TIRANA-DINAMO 4-0
Shënues:
Seferi 44’, Xhixha 56’, 61’, Hoti 82’

/ oversport.tv