Pas barazimit përballë Romës një javë më parë, Milani bën një tjetër hap fals në kampionat, pasi ndalet në “Via del Mare” në një tjetër barazim 2-2 nga Lecce. Kuqezinjtë luajnë shumë dobët në pjesën e parë, të cilën e mbyllin në disavantazh të 2 golave, por reagojnë në pjesën e dytë, arrijnë të barazojnë, por nuk përmbysin dot vendasit, që marrin rezultatin e 6-të pozitiv radhazi në kampionat. Milani pëson një goditje në luftën për titullin kampion, pasi diferenca me Napolin shkon në 9 pikë pas përfundimit të javës së 18-të të Serie A.
Milani nis shumë keq sfidën dhe pëson menjëherë gol në “Via del Mare”, pasi Theo Hernandez shënon një autogol në portën e tij. Kuqezinjtë nuk arrijnë të reagojnë dhe është sërish Lecce që gjen rrugën e rrjetës, kësaj radhe me Baschirotto, që shënon një gol me kokë. Një pjesë e parë për tu harruar për kuqezinjtë e Piolit dhe e dominuar nga vendasit.
Pioli hedh në fushë Dest dhe Messias në pjesën e dytë në vend të Theo dhe Selemaekers. Milani ndryshon fytyrë dhe arrin që të rihapë ndeshjen në minutën e 58-të me Leaon. Tani janë miqtë ata që dominojnë dhe arrijnë të barazojnë shifrat me Calabrian.
Milani hidhet në sulm në kërkim të golit të avanatazhit, Messias godet shtyllën, por edhe Lecce i afrohet golit të avantazhit me Gallo dhe Strefezza. Pavarësisht përpjekjeve të “djallit” rezultati i kësaj sfide nuk ndryshon.
Pas barazimit përballë Romës, kuqezinjtë ndalen sërish në një barazim 2-2 dhe humbasin terren ndaj kryesuesve të Napolit, që tashmë kanë një avantazh prej 9 pikësh. Lecce merr një pikë të çmuar dhe ngjitet në kuotën e 20 pikëve. / Oversport.tv
Foto: AC Milan Twitter