Tjetër surprizë në Kupën e Italisë, Napoli eliminohet nga Cremonese

Napoli zhgënjen në Kupën e Italisë dhe eliminohet në fazën e 1/8-ve në mënyrë surprizë nga Cremonese pas penalltive. Koha e rregullt përfundoi në barazim 2-2, ndërsa “ruleta ruse” e futbollit i buzëqeshi Cremoneses që nuk gaboi në asnjë goditje, ndërsa nga ana tjetër Lobotka nuk gjeti dot kuadratin.

Spalletti ul në stol shumicën e titullarëve dhe i jep më shumë minuta lojtarëve që nuk kanë luajtur shumë gjatë kampionatit. Në pjesën e parë të dyja ekipet janë shumë kërkues në fushën e lojës dhe hidhen menjëherë në sulm. Pas 18 minutash lojë, Pickel hesht stadiumin “Maradona” duke kaluar në avantazh Cremonesen.

Megjithatë, Napoli nuk e humbet toruan dhe hidhet menjëherë në sulm për të gjetur golin e baraspeshës. Për të vendosur ekuilibrat mendon Juan Jesus që realizon golin që i çon shifrat në 1-1.

Tre minuta më vonë, të besuarit e Spallettit arrijnë të përmbysin gjithçka. Këtë herë është Giovanni Simeone që mposht portierin Carneseçhi dhe kalon për herë të parë në avantazh skuadrën e Napolit. Me rezultatin 2-1 mbyllet pjesa e parë, ndërsa në fraksionin e dytë, vendasit kërkojnë të menaxhojnë avantazhin e arritur.

Sfida luhet më së shumti në mesfushë dhe ekipet nuk rrezikojnë shumë. Kur pritet që sfida të mbyllet me fitoren e Napolit, Afena-Gyan i shtang të gjithë duke realizuar golin që e çon rezultatin në 2-2. Koha e rregullt mbyllet në barazim dhe lind nevoja për kohën shtesë.

Napoli rikthehet të jetë kërkues në kohën shtesë dhe fillon të rrezikojë portën e Cremoneses, por pa sukses. Duket se gjithçka do të bëhet më e lehtë pasi Sernicola ndëshkohet me karton të kuq dhe lë ekipin e tij me 10 lojtarë. Megjithatë, asnjë aksion nuk finalizohet me gol dhe në fund lind nevoja për penalltitë.

“Ruleta ruse” e futbollit në fund i buzëqesh Cremoneses që tregohet më e saktë nga pika e bardhë e penalltisë duke u kualifikuar kështu për në çerekfinale. Kjo është surpriza e dytë e Kupës së Italisë pas eliminimit të Milanit nga Torino. Në fazën tjetër Cremonesen e pret një sfidë e vështirë ndaj Romës. /oversport.tv

Foto: Official SSC Napoli, Twitter