Tomori rrezikon derbin, por ka edhe lajme të mira nga infermieria kuqezi

Periudhës së keqe të Milanit në fushë i shtohen edhe lajme aspak të mira që vijnë nga infermieria: këtë të mërkurë Tomori ka kryer një vizitë të specializuar për të parë gjendjen e dëmtimit që pësoi në sfidën ndaj Lazios.

Përgjigjja nuk ka qenë aspak pozitive për Piolin, sepse mbrojtësi ka pësuar një dëmtim muskulor. Është parashikuar edhe një tjetër kontroll pas 7 ditësh, por duket e pamundur që Tomori të jetë në dispozicion të skuadrës për derbin e radhës në kampionat, që është programuar të luhet në 5 shkurt.

Lajme më optimiste vijnë për sa u përket 2 mbrojtësve të tjerë kuqezi: nuk ka asgjë shqetësuese për Calabrian, që ka marrë vetëm një goditje në pulpë. Ndërkohë që Theo Hernandez, që mungoi në Romë, nga nesër duhet të kthehet në stërvitje me grupin. / Oversport.tv