“Topi hyri brenda vijës”, Arbëri bën vetë moviolën pas ndeshjes: Nëse e kam gabim, nuk merrem më me futboll

Klodian Arbëri është shumë i zhgënjyer nga rezultati i ndeshjes përballë Korabit ku u mposht dhe humbi mundësinë që me Tomorin e tij të shkonte në finalen e “Play Off”-it. Pas sfidës tekniku beratas foli për Oversport ku nuk i kurseu edhe akuzat.

“I zhgënjyer nuk e them kurrë, jam krenar për ekipin në çdo lloj aspekti. Që nga fillimi e kemi arritur me meritë, te gjykimi pastaj t’ia lëmë të tjerëve. Nga rezultati i zhgënjyer normalisht se në futboll duhet të rrihesh në mënyrë loje, jo nga të tjera.

I kemi me video, po ta shikoni, është gol. Ka hyrë topi brenda, ka hyrë gjysmë metri brenda. Nëse e kam gabim, nuk merrem më me futboll. Nga mënyra e lojës jam krenar, pastaj ndikojnë persona të tjerë. Në pjesën e lojës triumfuam në çdo lloj aspekti dhe kjo u pa.

RRUGËTIMI- “Deri këtu ku erdhëm, kemi ardhur me meritë. U thashë djemve më mirë e mbyllim me dinjitet si luajtëm, me mënyrat e tjera nuk mbaj përgjegjësi. Po i fal të gjitha të tjerat, merr vetëm golin e anuluar, për këto ndahet futbolli, në gjëra të vogla. Nuk duhet të ndikojnë gjërat e jashtme.”

LOJA- “Desha të shkonim në fazën tjetër, që djemtë të afirmoheshin e krijonim një grup të mirë. Gjithsesi nuk deshën të na linin. Loja e mirë është realisht, por nuk quhet fat. Fat është kur nuk hyn topi, ne e bëmë golin e nuk na e quajtën.”

SKUADRA- “Jam shumë krenar, shumë i kënaqur nga djemtë, krenar që punova dhe ishalla kanë vazhdimësi e vitin tjetër ta ruajmë se me këtë grup do të vijmë drejt Superiores”, tha ndër të tjera Arbri. /oversport.tv