Torino dhe Genoa kërkojnë të dalin nga kriza, Manaj e nis nga stoli

Serie A rikthehet në Oversport, pasi sot startojnë ndeshjet e javës së 9-të të kampionatit italian të futbollit. Sfida Torino-Genoa do të luhet në orën 18:30, ndërsa takimi Sampdoria-Spezia në orën 20:45. Të dyja këto sfida do të transmetohen live në kanalin Oversport 1.

Si Torino edhe Genoa po kalojnë një moment të vështirë në kampionat dhe kanë disa javë që nuk arrijnë të gjejnë suksesin në Serie A. Pas humbjeve përballë Napolit dhe Juventusit, vendasit kërkojnë të rikthehen tek fitorja. Belotti është rikuperuar dhe tekniku Juric mund ta hedhë në fushë që nga minuta e parë, por Verdi, Pjaca dhe Mandragora do të mungojnë kundër Genoas.

Miqtë kanë 5 javë që nuk fitojnë dhe tashmë kanë zbritur në zonën që të çon në kategorinë inferiore. Tekniku Ballardini vazhdon të ketë probleme në repartin e mbrojtjes, pasi edhe në transfertën e sotme në Torino do të mungojnë Bani, Maksimovic dhe Vanheusden.

Në mbrëmje do të luhet sfida Sampdoria-Spezia. Vendasit kanë marrë vetëm një pikë në 4 ndeshjet e fundit në kampionat dhe sot kërkojnë të lënë pas krahëve këtë moment të vështirë, duke synuar fitoren përballë Spezias. Thorby, Damsgaard dhe Ronaldo Vieira do të mungojnë për Sampdorian në këtë takim.

Spezia arriti një fitore me vlera përballë Salernitanës javën e kaluar dhe sot synon një tjetër rezultat pozitiv që të ngjitet akoma më lart në renditje. Thiago Motta nuk ka probleme me mungesat, ndërsa Manaj do ta nisë nga stoli sfidën e sotme. / Oversport.tv