Totti: Mourinho një trajner i madh, do çojë Romën në majat e Serie A

Francesco Totti ka dhënë një intervistë të gjatë për spanjollen “Sport”. Ish-kapiteni  Romës, sot në krye të agjencisë së tij të zbuluesve (scouting), ndodhet në Barcelonë për të ndihmuar Toni Caravacan, një nga të rinjtë e shumë të skuadrës së tij.

Karriera e re- “Që kur vendosa të ndërmarr një karrierë të re, dita ime është një sfidë. Qëndroj më shumë larg shtëpisë, por jam i lumtur. Agjencia CT10 Management kërkon lojtarë të talentuar në të gjithë botën. Dhe për të gjetur lojtarë të mirë, duhet të udhëtosh në shumë shtete. Më pëlqen dhe më kënaq kjo eksperiencë e re, sepse jam akoma i lidhur me futbollin. Ky sport është bota dhe jeta ime. Shoh shumë ndeshje dhe vazhdoj të emocionohem”.

Largimi i Messit-“Ishte një surprizë për të gjithë. Mendoja që Leo do të mbyllte karrierën tek Barcelona. Mendoj se klubi ka bërë gjithçka për ta mbajtur, por ndonjëherë ka dhe arsye të tjera, jo sportive që çojnë në këto situata. Më vjen keq për Barcën, sepse Messi kudo që të jetë, do të jetë mirë”.

Reali i Madridit apo Barcelona – “Isha shumë pranë Realit, tani është e lehtë të thuash po apo jo. Për mua qëndrimi në Romë ishte zgjedhja më e mirë. Ishte një zgjedhje me zemër. Është e qartë që në skuadra si Roma ke më pak mundësi që të fitosh, por për mua Roma është Champions League ime.

Sinqerisht nuk kam folur asnjëherë me Barcelonën për një transferim të mundshëm. Më vjen keq, sepse Barca është një skuadër që më pëlqen dhe do të ishte bukur të luaja për të. Në një botë tjetër ose në një kohë tjetër mund të kishte ndodhur”.

Roma me Mourinhon- “Shpresoj që këtë sezon Roma të renditet mes katër skuadrave të para në kampionat, që të mund të luajë në Champions League sezonin tjetër. Mendoj që Mourinho është një trajner i madh dhe mund ta çojë skuadrën në majat e futbollit italian. Tifozët nuk kanë shumë durim, sepse kanë kohë që nuk fitojnë gjë, por me ardhjen e portugezit është shtuar shpresa për të fituar një titull. Tifozët për këtë gjë kanë nevojë”.

Italia në Play Off – “Kur fitohet një titull, si Europiani, tifozët presin më shumë. Askush nuk priste që Italia të luante në Play Off për të shkuar në Botëror. Tani duhet të mposhtë Maqedoninë e Veriut dhe të përpiqet të kalojë me sukses Portugalinë ose Turqinë në finale. Jemi Italia”. / Oversport.tv