Trashi për Oversport: Shqipëria ka ndryshuar, Partizan ja porositë për derbin

“Derbi është derbi” është kthyer në një refren, që këtë herë përsëritet edhe nga Lorenc Trashi. Mbrojtësi i krahut të majtë, pjesë e kombëtares shqiptare dhe Al Qadsia në Kuvajt, do të donte të ishte pjesë e Partizanit dhe t’i përjetonte sërish emocionet e derbit të kryeqytetit.

Në intervistë e dhënë për gazetarin e Oversport, Olsi Tujani, anësori i majtë flet për sezonin në Kuvajt, rezultatet e fundit të Shqipërisë, ndryshimet që kombëtarka ka pësuar dhe më pas ndalet te derbi dhe jep edhe porositë e tij për futbollistët e Partizanit.

Lorenc, si po shkon aventura juaj me skuadrën Al Qadsia?

-Çdo gjë po shkon mirë, jemi në finale të kupës dhe po përgatitemi për të. Shpresoj që çdo gjë të shkojë mirë.

Ndeshjet e tetorit, si ishin me Kombëtaren dhe çfarë na mungoi për të marrë maksimumin e  pikëve?

-Kishim dy ndeshje të vështira dhe shpresonim të merrnim maksimumin nga këto dy ndeshje, por që nuk ia arritëm. Mirë do ishte të kishim marrë 4 pikë, pasi edhe barazimi me Poloninë na mbante në lojë deri në fund. Gjithsesi në përgjithësi ekipi ka bërë dy ndeshje shumë të mira dhe kjo të jep shpresë për të ardhmen.

Zhgënjim për vendin e dytë, apo arritje që mund të përfundojmë të tretët. Si e lexoni ecurinë e Kombëtares këtë sezon?

-Ecuria e kombëtares është pozitive. Duhet të flasim realitetin, qe ka ndryshuar shumë loja e  kombëtares me disa vite më parë. Kjo duket qartë, nuk është më një ekip që vetëm mbron. Tani ekipi edhe sulmon, bën presing lart dhe mund të përballet shumë mirë me çdo kundërshtar.

Java derbi, Tirana-Partizani. Çfarë të mungon më së shumti?

-Normalisht që më mungon ajo atmosfera e derbit që krijohet aty, mos të them e gjithë java e derbit. Çdo ditë e stërvitjes është me emocion dhe pikërisht më mungojnë ato momente shumë.

Si e ke parë Partizanin këtë vit?

-Partizani ka kualitet brenda, por nuk po arrin t’i shprehë në fushë këto javët e para. Shoh një ngërç psikologjik më shumë. Mendoj që në të ardhmen do dalë në lojën e vet dhe do jetë në rrugën e duhur.

A është derbi pika e kthesës për skuadrën e kuqe, pas një serie barazimesh këtë start sezoni?

-Jo, s’mund t’i vëmë kusht në derbi që duhet të jetë pika kthesës. Kjo sepse derbi është derbi dhe mund të ndodhë çdo gjë. Derbi është një ndeshje që kush ekip e fiton i ndikon pozitivisht nga ana psikologjike dhe do ketë një vazhdimësi të mirë në ndeshjet e radhës. Këtë ndikim ka derbi. Unë shpresoj shumë që Partizani të bëjë më të mirën në këtë ndeshje.

Kush mendon se do jete lojtari vendimtar dhe si e parashikon këtë derbi të së hënës?

-Nuk mund të them një lojtar, por mendoj që lojtarët duhet të jenë me një mendje në këtë ndeshje, të ndihmojnë njëri-tjetrin dhe mos komentojnë gabimet e njëri-tjetrit. Kjo ndeshje fitohet duke i dhënë mbështetje shokut që gabon dhe kush do fitojë dyluftimet e fiton edhe ndeshjen në fund. / oversport.tv