Tre sfida të Superiores sot në Oversport dhe Tibo, Partizani dhe Tirana në provë pa yjet

“Abissnet Superiore” do të vijë sot në Oversport dhe platformën Tibo me tre sfida mjaft interesante. Gjithçka do të startojë në orën 13:00 në Rrogozhinë me sfidën mes Egnatias dhe Kukësit në kuadër të javës së 18-të të “Abissnet Superiore”.

Vendasit të cilët luftojnë për një vend në Kupat e Europës kërkojnë me ngulm një fitore e cila i jep mundësinë të rëmbejnë vendin e tretë në renditjen e përgjithshme. Nga ana tjetër Kukësi i vendit të fundit kërkon të reagojë për të mos humbur më shumë terren në luftën për mbijetesë.

Në orën 16:00 Partizani do të presë në shtëpi Teutën. “Demat” vijnë në këtë sfidë pas dy hapave fals në “Abissnet Superiore” të cilat kanë bërë që të humbasin vendin e parë.

Për Colellën vështirëson gjithçka edhe largimi i dy prej lojtarëve më të rëndësishëm të ekipit si Xhuliano Skuka dhe Eneo Bitri. Megjithatë, Partizani kërkon të tregojë se nuk është i varur nga individë të caktuar dhe objektivi i vetëm përballë Teutës është vetëm fitorja.

Nga ana tjetër durrsakët kanë hedhur pas krahëve startin e dobët të sezonit dhe në ndeshjet e fundit kanë dhënë rezultate pozitive. Edi Martini ka rikthyer te sukseset Teutën dhe në “Kompleksin Partizani” do të provojnë të surprizojnë të besuarit e Colellas.

Java e 19-të e “Abissnet Superiore”, por edhe faza e dytë e këtij edicioni mbyllet me sfidën Erzeni-Tirana. Dueli do të startojë në orën 19:00 dhe premton emocion dhe spektakël. Kampionët në fuqi të cilët duhet të bëjnë llogaritë pa të larguarit Redon Xhixha dhe Vesel Limaj, kanë marrë megjithatë disa lajme pozitive. Merkatoja është zhbllokuar dhe në fushë pritet të jetë Regi Lushkja, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që dhe Kristal Abazaj të jetë në dispozicion të trajnerit Orges Shehi. Nga ana tjetër, Erzeni ka treguar se di të surprizojë këdo dhe një fitore ndaj Tiranës mund ta kthente në zonën e Europës.