Daniele Orsato rikthehet të arbitrojë Interin në një ndeshje të Serisë A. Pas 3 vitesh nga sfida e shumëdiskutuar mes zikaltërve dhe Juventusit, për një karton të verdhë të munguar ndaj Pjanic (i cili do të ishte i dyti), arbitri 45-vjeçar është përzgjedhur nga komisioni i arbitrimit për të gjykuar sfidën mes Sampdorias dhe Interit.
Orsato u akuzua nga tifozët zikaltër se i dha një dorë Juventusit në javën e parafundit për të fituar titullin kampion dhe më pas rezultoi se audioja e komunikimit mes tij dhe VAR ishte e zhdukur.
Klubi nga Milano e shpalli “non-grata” arbitrin dhe deri më sot nuk ka zbritur kurrë në fushë për të gjykuar një sfidë të kampionëve të Italisë.
Në atë ndeshje Interi po fitonte 2-1 me 10 futbollistë, por në minutat e fundit gjithçka u përmbys në favor të “Zonjës” 2-3. / oversport.tv