Triumf mes polemikash, Erkand Qerimaj fiton medalje argjendi në shkëputje

Qerimaj vazhdon të konfirmojë formën e tij fantastike në peshëngritje. Pas medaljes së artë në Kampionatin Europian të Peshëngritjes që u zhvillua në Tiranë dhe u transmetua live dhe ekskluzivisht nga Oversport dhe Tibo, peshëngritsi shqiptar arrin një tjetër triumf.

Ai ka arritur një medalje argjendi në stilin e shkëputjes në Lojërat Mesdhetare për meshkuj deri në 73kg. Qerimaj arriti të ngrinte 149 kg në provën e tretë, pasi dështoi në dy të parat, ndërsa gjyqtarët fillimisht e konsideruan të gabuar provën.

Pas vendimit të gjyqtarëve përfaqësuesit shqiptarë shkuan në drejtim të gjyqtarëve për të kundërshtuar vendimin dhe pas disa minutash, prova e Qerimaj u konsiderua e rregullt duke marrë kështu një medalje argjendi.

Në vend të parë sakaq u rendit italiani Mirko Zanni që arriti të ngrinte 150 kg, ndërsa në shkallën më të ulët të podiumit u vendos Karem Ben Hnia me 147 kg. /oversport.tv