Giovanni Colella është zgjedhur si trajneri më i mirë i muajit mars nga Oversport. Risia e platformës që ka siguruar të drejtat e transmetimit të futbollit shqiptar për 3 sezone i buzëqesh trajnerit të Partizanit, i cili ka pasur ecuri pozitive në këtë periudhë duke rikthyer edhe njëherë “Demat” në krye të tabelës së klasifikimit.
Në muajin mars Partizani nuk ka pësuar një humbje në tre ndeshjet e zhvilluara, duke fituar dy sfida shumë të rëndësishme ku spikat derbi me Tiranën. Një barazim më pas me Vllazninë, ndërsa e mbylli muajin me fitore bindëse ndaj Kastriotit në shifrat 4-1.
Në mars Partizani ka arritur të realizojë shtatë gola në tre ndeshje, ndërsa ka pësuar 2. Giovanni Colella bëhet kështu trajneri i gjashtë që fiton çmimin Oversport si trajneri më i mirë i muajit. Tekniku italian bëhet gjithashtu trajneri i parë i huaj që e fiton këtë çmim si trajner.
Pas fitimit të trofeut, Colella dha edhe një intervistë për Oversport ku ndër të tjera falenderoi platformën për këtë iniciativë të bukur dhe për vlerësimin e bërë.
“Në nivelin personal është një vlerësim shumë i rëndësishëm, për më tepër për faktin që e kam marrë në një vend që nuk është i imi. Kjo e bën dyfish të rëndësishëm. Është një iniciativë shumë e bukur, sepse përveç aspektit profesional është një mënyrë për të evidentuar protagonistët e kampionatit. Diçka interesante”, ishin disa nga fjalët e Giovanni Colellas për Oversport. /oversport.tv