Trofeu Oversport/ Orges Shehi shpallet trajneri i muajit tetor

Orges Shehi është zgjedhur si trajneri më i mirë i muajit tetor nga Oversport. Risia e platformës që ka siguruar të drejtat e transmetimit të futbollit shqiptar për 3 sezone i buzëqesh trajnerit të Tiranës, i cili ka pasur ecuri pozitive në këtë periudhë dhe ka marrë kreun e klasifikimit.

Në muajin tetor, Tirana arriti që të fitonte ndaj Partizanit në një ndeshje spektakolare të luajtur në “Air Albania”, ku e luajti me 10 futbollistë dhe trajneri pati një dorë të rëndësishme në këtë rezultat.  Më pas arriti të bënte detyrën edhe ndaj Kukësit me një tjetër fitore me goleadë dhe në transfertën e vështirë kundër Bylisit. Tirana gjithashtu ka arritur të marrë edhe kreun e klasifikimit të kampionatit.

Në muajin tetor bardheblutë kanë arritur të shënonin 10 gola dhe të pësonin 5 duke grumbulluar në total 10 pikë.

Orges Shehi është i dyti që e fiton këtë trofe pas Xhevahir Kapllanit në muajin shtator.

“Ju falënderoj për këtë çmim simbolik. Është një kujtim i bukur dhe i veçantë për mua dhe për të gjithë trajnerët. Kjo është risi në futbollin shqiptar dhe Oversport meriton komplimente dhe vlerësime për diçka të tillë”, tha Shehi. Megjithatë, në fund kishte edhe një batutë: Shpresoj që ta fitoj në muajin prill ose maj. Kjo do të thotë se atëherë vendoset titulli kampion dhe trajneri i Tiranës dëshiron trofeun.

Intervistën e plotë të tij mund ta ndiqni në kanalin Oversport News dhe në Youtube./oversport.tv