Trofeu Oversport/ Rraman Hallaçi shpallet trajneri më i mirë i muajit janar

Rramman Hallaçi është zgjedhur si trajneri më i mirë i muajit janar nga Oversport. Risia e platformës që ka siguruar të drejtat e transmetimit të futbollit shqiptar për 3 sezone i buzëqesh trajnerit të Kukësit, i cili ka pasur ecuri pozitive në këtë periudhë dhe ka lënë fundin e tabelës së klasifikimit.

Në muajin janar, Kukësi i Hallaçit arriti të regjistronte dy fitore me shumë peshë përballë kampionëve në fuqi të Tiranës si dhe në transfertën e vështirë ndaj Egnatias. Gjithashtu verilindorët regjistruan edhe një barazim pa gola në Ballsh, ndërsa humbja e vetme në muajin janar ka ardhur nga skuadra e Erzenit.

Rraman Hallaçi është trajneri i katërt i “Abissnet Superiore” që fiton çmimin Oversport si trajneri më i mirë. Më parë këtë çmim e kanë fituar edhe Xhevahir Kapllani, Orges Shehi dhe Shpëtim Duro.

Pas fitimit të çmimit, Rraman Hallaçi u shpreh se ishte i surprizuar nga vlerësimi i Ovesport, por se ky trofe e motivon më shumë në karrierë. “Të them të drejtën nuk e mendoja, për mua ishte një surprizë. Duke ditur se janë hapat e mia të para në karrierë në elitën e futbollit, është një çmim që më jep një shtysë dhe një forcë për të ardhmen”, u shpreh ndër të tjera Rrahman Hallaci. /oversport.tv