Tuchel: Do të tentojmë përmbysjen, ëndrrat mund të bëhen realitet

Chelsea u mund 3-1 nga Reali i Madridit në ndeshjen e parë çerekfinale të Champions League, por në prag të ndeshjes së kthimit në Spanjë tekniku Thomas Tuchel thotë se skuadrës së tij i lejohet që të ëndërrojë një kualifikim të mundshëm në gjysmëfinale.

“Na pret një nga sfidat më të mëdha në Bernabeu. Bëhet akoma më e vështirë, kur duhet të arrish një rezultat të caktuar, sepse duhet të fitojmë minimumi me 2 gola diferencë.

Është një mision thuajse i pamundur, shumë, shumë i vështirë, por sërish ia vlen që ta provojmë. Nuk duam asgjë tjetër, veçse një skenar fantastik ku ne mund ta arrijmë të përmbysim gjithçka.

Kualifikimi është shumë i vështirë, sfida është e madhe, sidomos pas rezultatit të ndeshjes së parë. Por të gjithë mund të ëndërrojnë. Ne do të tentojmë të bëjmë këtë ëndërr realitet.

Ne do të japim maksimumin që të përmbysim gjithçka. Kemi besim te forcat tona dhe do të mundohemi të bëjmë realitet ëndrrën tonë”, ka thënë tekniku gjerman.

Tekniku ka folur edhe për mungesat në transfertën e Madridit: “Lukaku do të mungojë sepse është i dëmtuar. Po ashtu edhe Callum Hudson-Odoi dhe Ben Chilwell, ndërsa Azpilicueta është i gatshëm për këtë takim”. / Oversport.tv

Foto: Chelsea FC Twitter