Tudor debuton në një sfidë të vështirë, Roma e Mourinhos kërkon vazhdimësi

Roma ka nisur shumë mirë sezonin dhe nuk kërkon të ndalet as në “Bentegodi”, aty ku përballë Veronës vendase synon fitoren e katërt radhazi në kampionat. Skuadra e Mourinhos kërkon të shfrytëzojë në maksmimum momentin e mirë që po kalon, duke kërkuar fitoren e radhës në transfertën e sotme në Verona në orën 18.00.

Vina do të mungojë në ndeshjen e sotme dhe në vend të tij do të luajë Calafiori. Edhe Mkhitaryan nuk është në formën e tij më të mirë, por nëse armeni nuk e nis si titullar, i gatshëm për ta zëvendësuar është Stephan El Shaarawy.

Pjesa tjetër e formacionit nuk ndryshon, konfirmohen ata që kanë fituar të gjitha ndeshjet e luajtura deri më tani (sërish pankinë për Kumbullën).

Në krahun tjetër qëndron Verona që po kalon një moment kritik, pasi ka pësuar 3 humbje në 3 takimet e luajtura në kampionat. Këto rezultate negative i kushtuan vendin e punës teknikut Di Francesco, vendin e të cilit e mori Igor Tudor, që do të debutojë në ndeshjen e sotme kundër Romës.

Megjithëse ka patur vetëm pak ditë në dispozicion për të njohur skuadrën dhe lojtarët, tekniku kroat kërkon një rezultat pozitiv në sfidën e sotme. Por, duket se edhe historia është kundër tij, pasi në 30 ndeshjet e fundit në Serie A, verdhekuqtë kanë humbur vetëm 2 herë përballë Veronës: një herë në vitin 1963 dhe 3-0 në tavolinë shtatorin e vitit të kaluar.

Verona-Roma në orën 18.00 do të transmetohet live në kanalin Oversport 1.

Formacionet e mundshme:

Verona (3-4-2-1): Montipò; Dawidowicz, Gunter, Magnani; Faraoni, Ilic, Hongla, Lazovic; Barak, Caprari; Simeone.

Roma (4-2-3-1): Rui Patricio; Karsdorp, Mancini, Smalling, Calafiori; Veretout, Cristante; Zaniolo, Pellegrini, Mkhitaryan; Abraham.