Tudor flet për debutimin: “Çfarë më tremb te Roma? Mourinho

Në një konferencë për shtyp në prag të ndeshjes së nesërme kundër Romës, trajneri i Veronës, Igor Tudor, që do të debutojë në pankinën e veronezëve në këtë takim, ka folur mbi gjendjen e skuadrës së tij:

“Duhet të punojmë në të gjitha gjërat, duhet të rritemi, po i pashë djemtë shumë optimistë dhe mezi pres që të vijë ora e ndeshjes kundër Romës. Kemi punuar gjithçka në detaj dhe jemi optimist për këtë përballje”.

Më tej tekniku kroat ka folur edhe për kundërshtarin: “Çfarë më shqetëson te Roma? Mourinho. Është një trajner që ka shkruar historinë e futbollit. Roma është në formë shumë të mirë, por kërkojmë që të arrijmë një rezultat pozitiv.

Luajmë në stadiumin tonë dhe duam të bëjmë një paraqitje sa më të mirë. Jemi shumë të motivuar dhe shpresojmë që të marrim maksimumin në këtë sfidë”-ka deklaruar Tudor, që në fillim të javës zuri vendin e Eusebio Di Francescos në krye të pankinës së Veronës.