Tyson Fury mbret në peshat e rënda, fiton me KO trilogjinë ndaj Wilder

Triologjia i takon Tyson Fury, i cili ka mposhtur Deontay Wilder me KO pas 11 raundesh. Fury konfirmohet kampion bote në peshën e rëndë dhe rripi i WBC mbetet i tiji. Për britanikun kjo është fitorja e 31-të në karrierë dhe deri më tani nuk njeh humbje.

Wilder ishte i motivuar për hakmarrje, por nuk ia doli dot. Fury ishte në një formë të mirë dhe sinjalin e dha në raundin e tretë, kur e rrëzoi në tapet Wilder. Amerikani nuk u dorëzua, madje raundin tjetër e ktheu në favorin e tij.

Fury përfundoi dy herë në tapet në raundin e katërt. Dueli vazhdon i fortë dhe gjithçka merr fund në raundin e dhjetë dhe të njëmbëdhjetë, kur furia e grushteve të Fury nuk përballohet nga Wilder dhe gjyqtari detyrohet të ndalë ndeshjen.

Kështu Fury mbetet kampion bote në peshat e rënda. Për Wilder kjo ishte humbja e dytë në karrierë dhe të dyja ia ka shkaktuar pikërisht boksieri britanik. / oversport.tv