Udinese “molla e sherrit”, Rudi Vata zbulon si nisi konflikti Reja-Broja

Armando Broja është çështje te Shqipëria. Sulmuesi nuk luajti në dy ndeshjet e fundit, kundër Anglisë dhe Andorrës. Versioni zyrtar i FSHF është që futbollisti i Southampton kishte një dëmtim në kavilje.

Gjithsesi sulmuesi po stërvitet tani normalisht me klubin e tij, ndaj ka vend për dyshime e aludime. Është folur shumë për një ftohje mes tij dhe trajnerit Edy Reja, i cili mendon se Broja nuk është ende gati për të luajtur titullar.

Rudi Vata nga ana tjetër pretendon se “krisja” mes trajnerit dhe sulmuesit ka nisur që në verë, kur Broja vendosi të qëndronte në Angli dhe të mos transferohet të Udinese në Serie A. Në emisionin “Skaner” në “MCN TV” Vata ka thënë:

“Në aspektin e menaxhimit të futbollistëve, Reja ka bërë një gabim të madh me Brojën. Në verë Broja kishte dilemë për t’u huazuar. Aty ndërhyri Reja, duke i sugjeruar të shkojë në Itali. Sulmuesi me familjen vendosën të qëndrojnë në Angli.

Aty nisi edhe konflikti mes trajnerit dhe Brojës. Sulmuesi refuzoi sugjerimin e Rejës, për t’u transferuar diku tjetër. Dihet që Reja tentoi ta dërgojë Brojën te Udinese.

Këtu nuk është problemi i Rejës, por i sistemit shqiptar. Kishte një kontribut, por unë jam i pakënaqur me menaxhimin e futbollistëve. Reja nuk ishte i kënaqur që Broja nuk ia dëgjoi këshillën dhe qëndroi në Angli”. / oversport.tv