Uellsi mposht Kombëtaren e femrave U-19 në ndeshjen e fundit të Eliminatoreve

Kombëtarja shqiptare e femrave U-19 ka luajtur ditën e sotme ndeshjen e tretë dhe të fundit për kualifikueset  e Kampionatit Europian 2022. Ato u mundën nga ekipi i Uellsit me rezultatin 4-1, duke mbyllur kështu edhe rrugëtimin.

Vajzat shqiptare e panë veten në disavantazh në minutën e 26-të, me Uellsin që kaloi në epërsi me Taylor. Kombëtarja jonë u përpoq të rikuperonte rezultatin por në fundin e pjesës së parë u ndëshkuan sërish, kësaj radhe nga Poole duke e çuar rezultatin në 2-0.

Do të ishte përsëri Poole që do të trefishonte rezultatin për Uellsin pak minuta nga nisja e pjesës së dytë. Më pas, gjyqtarja akordoi një penallti për kombëtaren shqiptare e cila u realizua nga Agli Iliadhi duke e çuar rezultatin në 3-1. Megjithatë, Poole ishte në superformë sot duke shënuar një tripletë personale dhe e vulosi takimin në 4-1.

Kjo ishte ndeshja e tretë për kombëtaren shqiptare që më parë ka arritur një fitore ndaj Andorrës dhe një barazim me Moldavinë. Vajzat u renditën vendin e dytë, ndërkohë është Uellsi ekipi që do të vazhdojë më tej. /oversport.tv