United edhe më larg zonës Champions, bie ndaj Everton që merr tre pikë mbijetese

Manchester United vazhdon të lëshojë pikë të rëndësishme në luftën për një vend në Champions League pasi u mposhtë në transfertë nga Everton me rezultatin minimal 1-0. Ishte goli i Gordon ai që vendosi takimin, ndërsa Ronaldo me shokë, nuk ia dolën dot të përmbysnin rezultatin.

Manchester United krijoi iluzionin se do të dominonte takimin dhe se do të ishte një sfidë e lehtë për të besuarit e Rangnick. “Djajtë” u hodhën menjëherë në sulm për të gjetur golin e avantazhit duke rrezikuar dy herë portën e Everton me talentin Marcus Rashford.

Megjithatë, në të dyja rastet, anglezi nuk u tregua i qartë për të ndalur topin në rrjetë.

Në minutën e 27-të do të ishte Anthony Gordon ai që do të ndryshonte rezultatin duke surprizuar Manchester United. 21-vjeçari tentoi me një goditje nga jashtë zone dhe i ndihmuar nga një devijim i Maguire, arriti të mposhte portierin De Gea.

Sakaq, do të ishin sërish vendasit që do të rrezikonin me anë të Richalison, por De Gea ndali gjithçka, ndërsa pjesa e parë u mbyll me rezultatin minimal në favor të Everton.

Në pjesën e dytë, ritmi ra ndjeshëm. Lojtarët e Everton kërkuan për një 11-metërsh pas një ndërhyrje të gabuar në dëm të autorit të golit, Gordon, por gjyqtari e konsideroi gjithçka si të rregullt.

Nga ana tjetër, Manchester United, tentoi të vendoste të paktën ekuilibrat në këtë takim, por Everton nuk lejoi shumë hapësira duke ia dalë edhe të marrë tre pikë shumë të rëndësishme nga ky takim.

Kështu, United humbet sërish një shans të artë për të barazuar në pikë, Tottenham që ndodhet në vendin e katërt dhe lëshon terren në luftën për një vend në Champions League. Everton sakaq, merr tre pikë të rëndësishme në luftën për mbijetes, ndërsa shkëputet provizorisht në +4 nga zona e ftohtë. /oversport.tv

PREMIER LEAGUE – Java 32
Everton – Manchester United 1-0
Shënues:
Gordon 27’

Foto: Premier League, Twitter