Uzuni fiton derbin ndaj Sadikut, beratasi vendos ndeshjen me golin e tij

Myrto Uzuni realizon dhe fiton derbin e shqiptarëve në La Liga 2 përballë sulmuesit tjetër kuqezi Armando Sadiku. Granada e tij arriti të marrë një fitore të rëndësishme në La Liga 2 falë golit të vetëm të këtij takimi të shënuar nga Myrto Uzuni. Sulmuesi shqiptar u tregua i saktë kundër Cartagena nga pika e bardhë e penalltisë për skuadrën e tij.

Për Granada dhe Cartagena në fushë sot u shfaqën në majën e formacionit sulmuesit kuqezi Uzuni dhe Sadiku. Për këtë të fundit sot nuk ishte ndeshja e tij më e mirë i cili nuk arriti të linte gjurmë e më pas u zëvendësua në minutën e 61 të takimit.

Megjithatë nuk mund të themi të njëjtën gjë për Uzunin pasi 27-vjeçari me golin e shënuar sot ngjitet në kuotën e 12 golave në La Liga 2 dhe është golashënuesi më i mirë i kompeticionit. Nga ana tjetër Sadiku mbetet me pesë gola më pak se bashkëkombasi i tij. /oversport

Foto: LaLiga SmartBank, Twitter