Van de Beek? Barcelona dhe United kanë gati shkëmbimin e bujshëm

Eksperienca e Van de Beek, te Manchester United nuk po shkon ashtu si pritej nga holandezi. Që kur ka nënshkruar me anglezët, ai nuk ka gjetur hapësirat e duhura dhe është kthyer në një lojtar stoli për trajnerin Solskjaer. Madje, shpeshherë ai nuk përzgjidhet nga trajneri të aktivizohet në disa ndeshje.

Nga kjo situatë, kërkon të përfitojë Barcelona që e pëlqen shumë mesfushorin me tipare sulmuese. Drejtuesit katalanas po shqyrtojnë mundësitë për të afruar holandezin në ekip pa shumë shpenzime. Dihet tashmë që Van de Beek është i pakënaqur në Manchester dhe një kalim tek Barcelona në Spanjë do të ishte ideale për të.

Megjithatë, që kjo të ndodhë, të dyja klubet duhet të bien dakord që të bëhet një marrëveshje shkëmbimi. Barcelona po kalon një krizë financiare dhe e vetmja mundësi për të nënshkruar me holandezin është në rast se e shkëmben atë me një lojtar aktual të klubit. Ende nuk dihet emri i lojtarit që Barcelona do të ofrojë, por sipas “Sport”, drejtuesit katalanas po mendojnë të ofrojnë një emër të madh. /oversport.tv